Rama: “Luli klith si dhëndërr i inatosur në sallë dasmash” Basha: “O hajdut i mafes së plehrave”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili edhe në konferencën e sotme dhënë për gazetarët, përsëriti kërkesën e tij që SPAK të nisë hetimet për aferën me inceneratorët.

Rama për Bashën:

Po ç’është ajo sallë dasmash ku i bëke konferencat e Lulëzim?! Të ndoqa pak sot e u habita, qesharake shumë salla dhe ti si dhëndërr i inatosur që klithje pse po pastrohet Shqipëria nga plehrat! Po si mund të jesh kaq nostalgjik për plehrat që i bëre mal në Tiranë e ndote dynjanë!

Po si mund t’u thuash shqiptarëve që mafia po pastron Shqipërinë nga haletë gjigande në mes të qyteteve më të mëdha të vendit e nga helmet që pushtuan ajrin me dekada në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e gjetkë?! Po pse kështu do bëhesh KM ti o miku im Artist, me plehrat në gojë?!

E ke dëgjuar mirë nga unë, se ta kam thënë shpesh, shqiptarët s’janë budallenj, po ajo që s’kupton ti kur e thua këtë është se shqiptarët s’kthehen më tek plehrat o Lul!Sa më shumë do vuash në sytë e tyre duke qarë për plehrat që po pastrohen,aq më shumë do mërzitesh në 25 prill!

Pas deklaratës së Ramës, i cili e quante Bashën një dhëndër të inatosur, që mbante konferencë në një sallë dasmash, ka ardhur dhe reagimi i kryedemokratit, i cili thotë se për kryeministrin është gëzim dhe dasmë zbrazja e vendit nga të rinjtë.

“Dhimbjet e shqiptarëve që ke zhytur në skamje e nuk kanë mundësi as për ilaçe, shëndetësia në kolaps, ekonomia në krizë, zbrazja e vendit nga rinia për ty është dasëm o hajduti i mafias së plehrave. Pas çdo dhimbje dhe vuajtje të shqiptarëve qëndron një vjedhje e jotja”, shkruan Basha në reagimin e tij.