Meta përplaset keq me Çim Pekën: “Mos më bëj mua zhurmuesin e Edi Ramës dhe Fugës. Kaq po të them”

Presidenti Ilir Meta e ka filluar me tensione intervistën e mbrëmjes së djeshme në Syri Tv.

Meta është përplasur ashpër me gazetarin Çim Peka, i cili e ndërpreu teksa fillloi të fliste për themelimin e LSI-së.

Kreu i Shtetit e quajti gazetarin zhurmues të kryeministrit Edi Rama dhe të Endri Fugës, drejtorit të Informacionit në Kryeministri.

Me tone të larta, Presidenti deklaroi se nuk do lejojë njeri ta ndërpresë.

Biseda:

Meta: Nëse do të bësh zhurmuesin e Edi Ramës bëje, ti do të më lësh mua, pastaj bëj çfarë të duash, kaq po them. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Zhurmuesin e Edi Ramës mos e bëjë më asnjeri, te kjo gjë nuk pranoj më ndërhyrje, kaq po them

Peka: Një pyetje…

Meta: Jo, kaq po them. Mos bëj zhurmuesin e Fugës këtu.

Por vetëm pak caste më vonë, Kreu i Shtetit u pendua për sjelljen e tij dhe i kërkoi falje Pekës.

Meta: Unë të kërkoj falje që të ndërpreva, por duhet të bëja një panoramë të përgjithshme.

Peka: Jojo, nuk prish punë fare. Unë nuk jam zhurmues i Fugës këtu, unë jam…

Meta: Të kërkoj ndjesë, por unë dua t’i tregoj njerëzve sesa mbrapa jemi.

Presidenti Ilir Meta gjithashtu është kthyer pas në kohë dhe ka treguar se përse i ka prishur marëdhëniet me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe përse u largua nga Partia Socialiste.

Meta tha se me Nanon u prishën marrëdhëniet, pasi pretendon se ky i fundit nuk respektoi marrëveshjen që kishin bërë.

Kreu i Shtetit tregoi se Nano i kishte propozuar që vetë të bëhej president dhe Meta kryeministër, por pretendon se nuk e pranoi këtë gjë.

“Partia Socialiste në 2001 kishte marrë disa mandate si favor i një “faulli”. Fatos Nano donte me çdo kusht të bëhej president i Shqipërisë, edhe nëse unë bëhesha kryeministër. Donte garanci nga unë por unë nuk e bëra. I thashë: “Zotëri unë nuk të bëj dot president ty, do me pahir ti, bëhu kryeministër, të bëhem unë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm”.

Pas marrëveshjes që nuk bëra unë me Nanon, Shqipërisë iu hapën negociatat. Unë me zotin Nano në atë kohë u prisha për këtë punë. Unë krijova një forcë të re politike. Në 2006 u mbyll marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, theksoi presidenti.

Meta tha në Syri Tv se nëse Rama ka qejf të përballet me të në çdo studio kur të dojë.

“Rama është i votuar me dosjen e Shijakut. Ç’lidhje ka Rama me të majtën kur i thotë të vdekur heronjve. Nëse ka qejf Rama të vijë në çdo studio kur të dojë si të dojë.

Unë jam kryetar i shtetit dhe të mos kujtojë se është ndonjë tjetër më tutje. Nuk kthehet më Shqioëri më as 1945, as 1947 dhe më tej, ta harrojë ai se do të falimentojë këtë vend”, deklaroi Kreu i Shtetit.