Infektohet Monika Lubonja: “Ne po vrasim njëri tjetrin duke i rrasur buzët te faqja e shokut ose mikut”

Aktorja, Monika Lubonja është infektuar me Covid-19. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi në Facebook.

Lubonja shprehet se, është mbyllur në shtëpi dhe po kurohet për virusin. Aktorja thotë se, njerëzit po vrasin njëri-tjetrin duke mos treguar që kanë virus, që dalin pa respektuar masat, apo kur e kanë dalin dhe infektojnë të tjerë.

“Jam e mbyllur në shtëpi ,duke u kuruar nga COVID-19.

Sigurisht që kjo është një tjetër lloj lufte dhe të gjithë kemi për t’u përballur me këtë luftë të re.

Por ajo që sot më bëri të ulem, e të shkruaj këtë mesazh është një fenomen që po ndodh me ne.

Me dashje ose pa dashje ne po vrasim njëri – tjetrin duke mos e treguar që jemi të prekur nga COVID-19. Vemi deri aty sa ulemi me njëri – tjetrin , pimë kafe, shkojmë dhe për dreka, a darkojmë , qeshim e qajmë, madje kur ndahemi për të treguar që e duam shumë njëri- tjetrin i japim dorën dhe s’mjafton kjo, po në fund e puthim. Po, po e puthim fort, madje më fort. Aq fort sa i rrasim buzët te faqja e shokut /shoqes apo dhe mikut si për t’i dhënë një urim zemre “e gëzofsh”.

Por ka dhe nga ata që e kanë këtë korona, e dalin me vetëdijen e tyre të plotë duke vazhduar jetën, punën e tyre, argëtimet dhe vendosin një maskë në fytyrë, se fundja këtë kanë bërë gjithë jetën e tyre, e jo më tani që u bë koha e maskave. Dhe pyetje lind nëse kanë ndërgjegje, kur në darkë kthehen në shtëpinë e tyre, a kanë bërë një bilanc se sa veta kanë filluar të vrasin?

Kush nuk e ka provuar se kupton, kush e ka provuar e kupton që kjo është një luftë dhe është një luftë e ashpër mes jetës e vdekjes. Përveç injorancës që na rrethon, që se pranojnë kur na vjen kjo e flamosur sëmundje, por dhe te mjeku shkojmë nga fundi, kur kjo sëmundje e ka bërë tashmë të veten…

Pra këtu është fundi i gjithçkaje si shoqëri. Për mua si individ, si qytetare mos të treguarit për prekjen nga Covid është baras me vrasje. Ne po vrasim njëri – tjetrin në një formë a ndonjë tjetër. Zot na jep forcë!”– shkruan Lubonja.