Enkel Demi shpërthen kundër Rudina Xhungës dhe Ramës: “Ajo biba dhe ai frikacaku që fshihet pas banditëve”

Shkova në protestë së bashku me gocën time. Pra, tëpkë si profili i një ushtari të Boko Haram, së bashku me çikën time shkuam të këqyrnim frikën që ka zënë logorenë e pushtetit.

Ishim një grup rreth 100 vetë që ju vumë nga pas grupit të adoleshentëve. Ne ndaluam në kryqëzimin tek Katedralja Orthodokse “Ngjallja e Krishtit”. Kishte djem, vajza, familjarë, qytetarë të zakonshëm që po kundronin. Grupi i të rinjve vazhdoi vetëm, mori rrugën “Myslym Shyri” dhe ju drejtua drejtorisë së policisë.

Këtë e kuptonim nga njolla e tymit, me të cilën i mbuloi policia. Ne ishim shumë larg për të parë më shumë detaje dhe po e ndiqnim protestën e tyre me telefon. Asnjë thirrje, asnjë provokim policëve, thjesht po kundronim. Dikush dha urdhër dhe ata befas dolën nga prapa Gjykatës dhe na u sulën. Hodhën gaz. Kishte plot prindër Boko Haram si unë me fëmijët. Një çift i ri Boko Haram po shtynte një karrocë, ku flinte një bebe.

Pse na sulmoi policia? Pse hodhi gaz?

Pa dyshim, që nuk mund të gjesh dot një shpjegim, perveçse të kuptosh frikën që ka pushtuar Edi Ramën. Në fakt, unë e di sa frikë ka ky njeri. E njoh atë shumë herët, mund të rrëfej madje me hollësi metamorfozën që ka pësuar në këto vite, por një gjë i ka mbetur e pandryshuar; frika. Prej saj, për t’u ndjerë i sigurtë është fshehur përherë pas banditëve, kriminelëve, të fortëve, ardvelinjve, gramoruçëve. Prej saj tani merr në telefon dhe i qahet zonjë Yuri Kim. I thotë se gjithë këtë zezë po ia bën Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha. Di të qajë kaq bukur sa me gjasë e prek, por nëse nuk ia del emocionalisht ai të përmend nderet, librin informal të pagës dhe qahet edhe për atë që po i qahet.

Yuri Kim pastaj nis e bën telefonata dhe kërkon paqen sociale. E gjora zonjë, e cila para do javësh u thoshte të rinjve që të merrnin fatin e tyre në dorë. Tani që ata e morën, u thotë: “Mos ma mërzisni Edin, se ashtu është një muhabet”.

Nuk di si do ia përkthejnë në anglisht, por këtë shqiptarët e quajnë: “Ça uji i ke dhënë gomarit?”. A quhet: “What water did you give the donkey?”.

Nejse, përkthyesit duhet të kenë punë më të ethshme për të bërë si anglishtimi i asaj letrës të vajzës 6 vjeçare që shkruajti ajo biba e dritares.

Prandaj, ne të Boko Haram, meqë na janë gërvishtur mushkritë nga gazi i policisë duket të qëndrojmë brenda ideologjisë tonë ekstremiste me këngën: “Doli hoxha në penxhere për me pa se kush ka vdek’…”.

Sa për kronikë makinën e kisha lënë te oborri i kishës, se prifti është integralist i Boko Haram.