E papritur! Ndërron jetë personi që tërhoqi qenin zvarrë në Sukth. Fqinjët: “Ai e donte qenin”

Vetëm pak kohë pas publikimit të lajmit për qenin që u vra pasi u lidh pas makine dhe u tërhoq në rrugë nga i zoti në Sukth, një tjetër lajm ka ardhur në redaksinë tonë!

Burime te ndryshme bëjnë me dije se pronari i qenit, i cili u shoqërua në polici javën e kaluar për veprimin makabër, ka ndërruar jetë.

Faik Përkoxha, quhet 50-vjeçari i cili ka humbur jetën sot rreth orës 15:00 në Dibër. Ndonëse u raportua se ishte banor i Sukthit, ai ishte në qytetin verior kur ndërroi jetë.

E ndërkohë që të gjithë mund ta gjykojmë për keqtrajtimin e qenit, mbetet ende mister historia me qenin. Të gjithë duan të dinë arsyen se përse ndodhi ngjarja e shëmtuar që bëri jehonë në të gjitha mediat.

Faik Përkoxha i donte qentë dhe kishte shumë të tillë, ndaj edhe dukej absurd veprimi i tij për të tërhequr zvarrë krijesën e gjorë:

“Nuk e kuptoj pse e ka bërë atë veprim. Ai e ka pas mbajtur shumë mirë qenin. Ne këtu në lagje e kemi pasur frikë se ka qenë i madh me përmasa të mëdha. Ky e nxirrte shëtitje, kujdesej për të”, thotë një i njohur i shtetasit.

Një tjetër person shprehet për se Përkoxha merrte pjesë edhe në ndeshje me qen, duke pasur disa të tillë. Ende nuk dihet arsyeja përse shtetasi në fjalë ka humbur jetën, pasi edhe në lagjen e tij në Sukth, komshinjtë shprehen se nuk e dinë nëse vuante nga ndonjë gjë:

“U shokuam kur e morëm vesh. Plus nuk ka qenë në Sukth, ka qenë në Dibër”.

Shtetasi do të dilte të nesërmen ose një ditë më pas për t’u njohur me masën e sigurisë para gjykatës.

Ndërkohë, qenit i është dhënë lamtumira e fundit dy ditë më parë në një ceremoni mjaft prekëse, ku u vendosën qirinj në formë zemre dhe lule në tokë, bashkë me fotografinë e trishtë ku kafsha e gjorë shfaqet duke u tërhequr zvarrë nga shtetasi.